Pas dhunimit të miturës, hapësirat publike në Prishtinë do të jenë nën vëzhgim të kamerave

19:15 | 01 Shtator 2022

Komuna e Prishtinës ka dalë me një njoftim të ri.

Pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se prej sot e tutje hapësirat publike në kryeqytet do të jenë nën vëzhgimin e kamerave.

Rama ka njoftuar se kjo ka qenë një marrëveshje e përbashkët me Policinë e Kosovës, e cila është nënshkruar sot, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

“Bashkë me Policinë e Kosovës u zotuam se do të koordinojmë aktivitete të përbashkëta për përmirësimin e sigurisë në hapësirat publike të Kryeqytetit”, njoftoi kryetari në një postim në Facebook.

Kujtojmë se rasti i dhunimit të 11-vjeçares ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë, për të cilën edhe u organizuan protesta masive brenda dhe jashtë vendit. E mitura është dhunuar nga pesë të dyshuar për shtatë orë. Të pesë të dyshuarit gjenden aktualisht në paraburgim, derisa tre prej tyre janë të mitur.

Komento: