Nita Shala, ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendësministres së Drejtësisë.
Shala ka dhënë disa arsye pse ka marrë një vendim për dorëheqjen nga post i zv-ministres së Drejtësisë.
“Po, kam kërkuar dorëheqjen dhe nuk shërbej më në cilësinë e zëvendësministres së Drejtësisë”, tha Shala.
Duke shpjeguar arsyet, ajo tha se dorëheqje ka dhënë pas një vendimi që ka marrë Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës.
Ky Këshill, ndalon emërimin, riemërimin dhe avancimin e stafit akademik që të shërbejnë në dy detyra publike njëkohësisht.
“Marrë parasysh përgatitjen time dhe përkushtimin tim për të kontribuuar në ngritjen e brezave të juristëve të rinj në republikën tonë, vazhdimi i ushtrimit të funksionit të zëvendësministres, më është pengesë në përmbushjen e qëllimeve akademike”.
Megjithatë, ajo deklaroi se shërbimi në pozitën e zëvendësministres në kabinetin qeveritar të kryeministrit Kurti, ka qenë nder për të dhe për këtë i është mirënjohëse.
“Shërbimi në pozitën e Zëvendësministres në Kabinetin e Kryeministrit Kurti ka qenë nder për mua dhe i jam mirënjohëse për besimin e dhënë” – shtoi ajo.
Nita Shala ishte emëruar në këtë post nga kryeministri Kurti në mars të vitit 2020.
Shala është avokate me eksperiencë profesionale në institucione ndërkombëtare.
Nita Shala është doktor shkence në drejtësi./RTK