Zgjedhjet në Kosovë po shihen si të domosdoshme.
Dy diplomatët amerikanë, Edëard Joseph dhe Daniel Serëer, i shohin si të pashmangshme zgjedhjet e reja të parakohshme në Kosovë pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, pas ftesës që ka marrë nga Gjykata Speciale.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Jospeh ka thënë se qeveria nuk mund të vazhdojë të funksionojë në mënyrë gjysmake duke e zëvendësuar Haradinajn nga një figurë tjetër politike.
Sipas tij, duke parë këtë situatë zgjedhjet e reja janë jetike, për të zgjedhur një qeveri që përfaqëson vullnetin e popullit.
“Për një çështje tepër të rëndësishme si marrëdhënia e Republikës së Kosovës me Republikën e Serbisë, është jetike të ketë një qeveri të zgjedhur që përfaqëson në mënyrë të saktë vullnetin e gjithë popullit të Kosovës, shqiptarët dhe serbët. Mendoj se është e vështirë të vazhdohet në kushtet e një gjysmëboshllëku, ku pasi largohet një kryeministër, ai zëvendësohet me një tjetër, jo me procesin e duhur politik. Pra jo përmes funksioneve të rregullta parlamentare, por përmes faktorëve të jashtëm. Unë nuk i shoh zgjedhjet si pengesë. Dialogu ka ngecur për shkak të tarifës së vendosur ndaj mallrave serbe. Pra, unë nuk e shoh si pengesë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”, kishte thënë diplomati amerikan, shkruan Gazeta Express.
Se zgjedhjet e reja janë zgjidhje e ka thënë edhe Daniel Serëer. Sipas tij, pas dorëheqjes së Haradinajt, mundësia për të shkuar në zgjedhje është shumë më e madhe se sa kishte qenë kur ato i kishte kërkuar opozita.
“Do të duhet të presim të shohim nëse kjo do të çojë në zgjedhje të parakohshme, që opozita i kishte kërkuar gjithsesi dhe që mendoj se mundësia për to është më e madhe tani sesa ishte dje”, kishte deklaruar Serëer për Zërin e Amerikës.
Ndërkohë dje drejt caktimit të datës së zgjedhjeve ka lëvizur edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Megjithatë duket se kreu i shtetit do të kërkojë fillimisht një mandatar nga koalicioni PAN, për ta zëvendësuar Haradinajn.
E në rast se asnjë prej partive (PDK-NISMA-AKR+ tjerat) nuk do të ketë asnjë propozim, atëherë ai do të fillojë konsultimet me të gjitha partitë për të caktuar datën e zgjedhjeve.
Njohësit e Kushtetutës ndërkohë thonë se për të shkuar në zgjedhje të reja duhet shpërbërë Kuvendi i Republikës së Kosovës, me 2/3 e votave.
Ndërkohë Televizioni Publik i Kosovës i thirrur brenda burimeve të Presidencës ka raportuar se zgjedhjet mund të mbahen më 8 shtator.