Pas dorëheqjes së kryeministrit, ja kur paralajmërohen zgjedhjet

19:56 | 19 July 2019

Pas dorëheqjes së Haradinajt, po mendohet për zgjedhje.

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, në një lidhje telefonike me RTV Dukagjinin ka thënë se dorëheqja e Haradinajt ka qenë e befasishme për të dhe subjektin e tij politik.

Ai thotë se dje ka pasur një takim me Ramush Haradinaj dhe nuk ka parë ndonjë indikacion te ky i fundit se do të dorëhiqej.

Ahmeti thotë se partia e tij është e përgatitur për zgjedhje të reja dhe se Kryesia e kësaj partia do të takohet disa herë gjatë vikendit për të diskutuar për situatën e krijuar.

“Kushtetuta i ka dispozitat e veta. Nëse një kryeministër jep dorëheqje, presidenti duhet te filloj konsultimet me partitë politike dhe të kërkojë nga koalicioni fitues nëse ka ndonjë alternativë tjetër për të mbajtur qeverinë. E them këtë për të diskutuar afatet…Kjo i bjer që maksimumi dy muaj nga dita e sotme nëse nuk ka gatishmëri për ndonjë qeveri të re shkojmë në zgjedhje”, tha ai.

Ai thotë se nuk ka ndonjë gatishmëri për të vazhduar qeveria pasi LDK moti është deklaruar për zgjedhje dhe sipas tij edhe raportet NISMA-PDK nuk janë të mira për t’u vazhduar ky koalicion.

Kryetari i PSD-së ka thënë se do të mbaj diskutime me subjektet tjera politike për ndonjë koalicion të mundshëm. Ai thotë se takime ka pasur me LDK-në dhe NISMA-n.

“LDK i ka pritur zgjedhjet e veta të brendshme dhe nuk e kemi ditur me kë do të diskutojmë. Secili kandidat që mund të bëhet kryetar në LDK mund të ketë preferenca të ndryshme…Ne kemi thënë se vija e kuqe për ne është PDK-ja”.

“Synimi ynë kryesor është që të kalojmë pragun, por pretendojmë të mbajmë së paku këta deputetë që i kemi”.

Ai ka thënë se kushdo që vjen në qeveri do të ketë një punë mjaft të zorshme.

Komento: