Sheholli pas dorëheqjes së Listës Serbe: Situatë e tensionuar, koha e fundit ta dëgjojmë SHBA-në.
Drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Famir Sheholli, ka paralajmëruar se situata në ditët në vijim mund të përkeqsohet, pas dorëheqjes së Listës Serbe nga institucionet e Kosovës.
Sheholli tha se Kosova mund të kthehet në situatën e para-pavarësisë duke paralajmëruar rritje të forcave ndërkombëtare të sigurisë.
“Frikësohemi se po kthehemi në vitet e para shpalljes së pavarasisë. Atje do të kemi forca më të shumta të KFOR-it dhe faktorit ndërkombëtar dhe fatkeqësisht të UNMIK-ut, duke e kthyer rezolutën 1244 në vepër në veri”, tha Sheholli për Klankosova.tv.
Sheholli tha se si institut ka dy muaj që kanë paralajmëruar se Lista Serbe do të dorëhiqet.
Ndërkohë, ai tregoi se nesër do të organizohet një protestë masive në veri, ku do të ketë tri kërkesa.
“Tash nesër është një protestë masive në veri. Ata do t’i kenë tri kërkesa; Kërkesa për të anuluar vendimin për targa, kërkesa për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe kërkojnë që një marrëveshje që e quajnë atë të Brukselit për vendosjen e një komandanti serb në veri, me miratimin e katër komunave serbe”, deklaroi Sheholli.
Tutje ai tha se situata është jashtëzakonisht e tensionuar dhe se në veri po shihen njerëz të ndryshëm që nuk janë banorë të asaj zone.
“Është koha e fundit që ne duhet t’i dëgjojmë propozimet e SHBA-së. E këshilloj kryeministrin Albin Kurti që urgjent të bashkëpunojë më SHBA-në, t’i dëgjojë këshillat që na kanë propozuar për të dalë nga një situatë e rrezikshme”, përfundoi Sheholli.