Pas fitores të VV-së, a do të jetë Fatmir Spahiu ministër i Kulturës?

13:29 | 07 Janar 2026

Ndërsa procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit po shkon drejt fundit, vëmendja është zhvendosur te emrat që do të përbëjnë kabinetin e ri qeveritar “Kurti 3”.

Deri tani, nga numërimi i mbi 99.50% të votave, rezulton se Lëvizja Vetëvendosje është fituese absolute me rreth 50,55% të votave (që pritet të përkthehen në rreth 57 ulëse në Kuvend).

Me këtë forcë të numrave, Kryeministri Albin Kurti pritet të formojë qeverinë i vetëm, ndërsa një nga emrat më të lakuar për dikasterin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbetet ai i aktorit dhe producentit, Fatmir Spahiu.

Ky i fundit ishte pjesë e planeve të Kurtit edhe në tentativat e kaluara për formimin e qeverisë.

Më 26 tetor të vitit 2025, përmes një postimi në rrjetet sociale, Spahiu kishte konfirmuar publikisht se kishte pranuar ftesën e Albin Kurtit për t’u bërë pjesë e ekzekutivit.

Megjithatë, pasi ajo përbërje qeveritare nuk u votua, pyetja që shtrohet tani është: A mbetet Spahiu zgjedhja e parë e Kurtit edhe pas triumfit të 28 dhjetorit?

I kontaktuar nga Insajderi për të mësuar nëse ka marrë një ftesë të re pas certifikimit të rezultateve, Spahiu u tregua i rezervuar:

“S’kam asgjë me thënë diçka konkrete për momentin”, deklaroi shkurtimisht ai.

Mbetet të shihet nëse në seancën e ardhshme të Kuvendit, kur pritet të votohet ekzekutivi i ri, Fatmir Spahiu do të ulet në karrigen e ministrit për të udhëhequr një nga dikasteret më me peshë për rininë kosovare./Insajderi

Komento: