Pas FMN’së, Qeveria thotë se edhe Banka Botërore është kundër tërheqjes së Trustit

19:41 | 01 Qershor 2022

Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës ka thënë se edhe Banka Botërore ka dalë kundër tërheqjes së parave nga Trusti. Kundër kësaj iniciative është deklaruar sërish kryeministri Kurti, i cili tha se nëse Kuvendi voton për një tërheqje të re nga Trusti, ky do të ishte “rrënim” i kursimeve të qytetarëve.

Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, kanë zhvilluar sot takim me përfaqësuesit e Bankës Botërore, të cilët u kanë dhënë një mesazh të qartë sa i përket mundësisë së një tërheqje të sërishme nga Trusti.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, përfaqësuesit e Bankës Botërore kanë dalë kundër prekjes së mjeteve të Trustit.

“Përfaqësuesit e Bankës Botërore thanë se presin që së shpejti të kalojë në kuvend marrëveshja për reformën sociale, sepse ajo është përgjigja e duhur ndaj krizës inflacionare dhe jo prekja e mjeteve të trustit pensional”, thuhet në njoftimin e ZKM’së.

Edhe Kryeministri Albin Kurti është shprehur sërish kundër një tërheqjeje të re të mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale, i njohur si Trust.

Kurti tha se nëse Kuvendi voton për një tërheqje të re nga Trusti, ky do të ishte “rrënim” i kursimeve të qytetarëve.

Sipas tij, nga një vendim i tillë do të përfitonin një pjesë e vogël e qytetarëve.

“Nga mbi 630 mijë llogari që janë të hapura, edhe pse mbi gjysma e tyre janë joaktive në Trustin Pensional të Kosovës, 92 për qind e tyre kanë të akumuluara më pak se 10 mijë euro, kurse 80 për qind të llogarive apo mbi 500 mijë sosh kanë në mesatare vetëm 1,100 euro në llogari. Pjesa më e madhe, apo gjysma e kursimeve janë të koncentruara te më pak se 8 për qind e bartësve të llogarive, pra që kanë afërsisht gjysmën e mjeteve të akumuluara, 1.2 për qind përafërsisht e individëve që kanë llogari në Trust kanë në mesatare 30 fish më shumë se 80 për qind e qytetarëve me llogari të hapura në Trust”, tha Kurti.

Ndryshe, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dalë fuqishëm kundër iniciativës për tërheqjen e 30 përqind të kursimeve nga Trusti.

Sipas FMN’së, tërheqjet shtesë nga fondi i kursimeve private pensionale (TKPK), do të përbënin goditje të rëndë në qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve dhe do të reduktonin ndjeshëm vlerën reale të pensioneve të ardhshme, shkruan Reporteri. net.

“Stafi i FMN-së shprehi kundërshtimin e fortë për tërheqjet shtesë nga fondi i kursimeve private pensionale (TKPK) meqë këto do të përbënin goditje të rëndë në qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve dhe do të reduktonin ndjeshëm vlerën reale të pensioneve të ardhshme. Gjithashtu, këto tërheqje do të përktheheshin në ngjeshje të madhe të tregjeve vendore të kapitalit, duke kompromentuar seriozisht financimin buxhetor dhe qëndrueshmërinë e borxhit”. thuhej në komunikatën e FMN’së të lëshuar para një jave.

Propozimi për tërheqjen deri në 30 për qind të mjeteve nga Trusti, ka ardhur nga Partia Demokratike e Kosovës.

Sipas këtij propozimi, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.

Ata që kanë deri 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë – 20 për qind.

Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind të shumës.

Një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi.

Komento: