Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se sot ka qëndruar në pikën kufitare në Bërnjak dhe ka vizituar gjithashtu edhe bazën policore në Jasenovik dhe kampin Belvedere.
Ajo këtë vizitë e ka realizuar bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, derisa kanë falënderuar policët për shërbimin dhe mbrojtjen e sovranitetit të vendit dhe qytetarëve pa dallim.
Osmani u ka ndarë atyre Medaljen Presidenciale për Siguri si shenjë vlerësimi për punën e bërë.
Kjo vizitë e presidentes Osmani në Bërnjak vjen vetëm një ditë pas largimit të barrikadave dhe rikthimit në punë të kësaj pike kufitare dhe asaj në Jarinje të cilat ishin jashtë funksionit.
“Në prag të ndërrimit të motmoteve, vizituam policët tanë në pikën kufitare në Bërnjak, bazat policore në Jasenovik e Bërnjak si dhe në kampin ‘Belvedere’.
Së bashku me Ministrin Sveçla, i falenderuam për shërbimin e tyre ndaj vendit, në mbrojtje të sovranitetit tonë e për siguri të të gjithë qytetarëve, pa dallim. Si shenjë të këtij vlerësimi, kam dekoruar njësi e zyrtarë policor me Medaljen Presidenciale për Siguri. Poashtu, të gjithë pjesëtarëve të policisë u uruam Vitin e Ri 2023 me dëshirën për shëndet për ata e familjet e tyre si dhe për suksese të mëtejme për Republikën tonë”, ka shkruar Osmani.