FIGC nis hetimet për përballjen e Milanit me tifozët, pas humbjes së mbrëmshme.
Përballja mes tifozëve dhe ekipit të Milanit po hetohet nga Federata Italiane e Futbollit (FIGC), sipas raportimit nga “ANSA”
Të shtunën mbrëma, “Rossonërët” pësuan humbje ndaj Spezias dhe janë jashtë top-katërshes në Serie A, shkruan Gazeta Express.
Pas përfundimit të ndeshjes, e gjithë skuadra, përfshirë edhe trajnerin Pioli, shkuan te tifozët e tyre “ultras”, të cilët dukej se nuk ishin aspak të kënaqur me skuadrën e tyre.
Megjithatë, edhe pse nuk pati ndonjë përplasje fizike apo eskalim situate, ky rast është duke u hetuar tashmë nga FIGC.
Federata italiane ka një rregull në kodin e saj të drejtësisë sportive që ndalon grupet më ekstreme të mbështetësve të bëjnë kërcënime ndaj lojtarëve në fushë.
Tashmë mbetet të shihet nëse hetimet do të dëshmojnë se tifozët kërcënuan ndonjë pjesëtarë të ekipit të Milanit, apo ishte vetëm një diskutim mes tyre.
Pioli këtë e kishte vlerësuar si “një gjë pozitive”. Ai gjithashtu pas ndeshjes tha: “Shkuam për t’i përshëndetur siç bëjmë gjithmonë. Ata na nxitën të japim më të mirën tonë”.