Arteta me kritika për futbollistët e Arsenalit pas humbjeve të njëpasnjëshme.
Arsenali ka humbur një tjetër ndeshje dhe Manchester City janë kampionët e rinj të Anglisë.
Topçinjtë u mposhtën 1-0 në udhëtim te Nottingham Forest derisa Citizens pa luajtur fare festuan titullin e kampionit në Ligën Premier.
Ka qenë një sezon i jashtëzakonshëm nga Arsenali, por që në fund fatkeqësisht përfundoi pa fituar trofe edhe pse ka vite që nuk ishin më afër për ta bërë një gjë të tillë.
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta ka folur për këtë edicion, duke thënë se kanë bërë një ecuri fantastike dhe kanë mësuar shumë.
“Tani jam pak i paaftë për të kuptuar atë se çfarë ndodhi, është herët për të dalë në përfundime. Duhet të përgëzojmë Cityn për titullin”.
“Në këto dhjetë muaj kemi përjetuar një udhëtim fantastik, të jashtëzakonshëm ku e sfiduam Manchester Cityn në të gjitha format. Ishim para tyre për pjesën më të madhe të kohës, por ishim paksa në ankth për të arritur diçka të madhe dhe në fund nuk ia dolëm”.
“Shpresoj të kemi marrë mësimet e duhura, jemi transformuar si klub, kemi bërë hapa gjigante përpara. Por, qershia mbi tortë do të ishte triumfi në kampionat, për fat të keq nuk ia dolëm”.
Krejt në fund Arteta tha se është e dhimbshme humbjet që kanë pësuar dhe tifozët duhet të marrin paraqitje më të mira, duke mos i kursyer kritikat për futbollistët e tij.
“Është e dhimbshme, kështu do të jetë për disa ditë, por në ndeshjen e fundit të kampionatit duhet t’i dhurojmë tifozëve paraqitjen që meritojnë”, deklaroi trajneri spanjoll.