Pas intervistimit dhe analizave, shtetasit maqedonas që ndodheshin afër Manastirit në Banjskë nisen për në Maqedoni

12:06 | 25 Shtator 2023
pas-intervistimit-dhe-analizave,-shtetasit-maqedonas-qe-ndodheshin-afer-manastirit-ne-banjske-nisen-per-ne-maqedoni

Shtetasit maqedonas që gjendeshin në një hotel afër Manastirit në Banjskë, ku ndodhi sulmi ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, janë nisur për në Maqedoninë e Veriut, nën shoqërimin e policisë.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili tha kjo është bërë pas intervistimit dhe analizave të zakonshme nga Policia e Kosovës.

Osmani ka thënë se lidhur me këtë rast ishte në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Kosovës dhe se ka biseduar edhe personalisht me Kryediplomaten Donika Gërvalla.

“Pas intervistimit dhe analizave të zakonshme nga policia e Republikës së Kosovës, sot në mëngjes qytetarët tanë janë nisur të sigurt për në shtëpi, të shoqëruar nga policia e Kosovës. Rrethanat në të cilat u gjendën ishin komplekse, duke qenë se ata ishin të akomoduar në një hotel, në afërsi të vendit ku ndodhi sulmi me armë ndaj policisë.

Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme është njoftuar menjëherë për këtë situatë përmes kanaleve të rregullta dhe kam biseduar personalisht me kolegen time Donika Gërvalla-Shvarc. Gjatë gjithë procesit, shërbimet e Kosovës garantuan sigurinë e qytetarëve tanë dhe ambasada jonë në Prishtinë ishte në kontakt të vazhdueshëm me ta”, ka shkruar Osmani.

Komento: