Pala kosovare ka dinamizuar takimet për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Fillimi i vitit që vjen pritet të karakterizohet me një dinamizim të dukshëm të procesit të negociatave Kosovë – Serbi.
Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se në fazën finale të bisedimeve mund të ketë përfshirje edhe të shteteve të fuqishme të botës, përkatësisht të SHBA-së dhe të Rusisë.
Kanë kaluar gati dy muaj prejse dy kryenegociatorët e dialogut mes dy vendeve, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq, nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të fazës finale të këtij procesi.
Pavarësisht kësaj, pala kosovare tashmë ka formuar ekipin negociator për dialog, të përbërë nga drejtues të partive të koalicionit qeverisës, të partisë opozitare PSD-së dhe nga përfaqësues të shoqërisë civile. Mirëpo pala serbe po vazhdon të këmbëngulë se nuk do ta vazhdojë këtë proces nëse nuk ka heqje të taksës 100% të vendosur ndaj produkteve serbe. Por pavarësisht këtyre, njohësit e këtij procesi vlerësojnë se javët në vijim, respektivisht fillimi i vitit që vjen, do të karakterizohet me një dinamizim të dukshëm të procesit të negociatave Kosovë – Serbi, shkruan Zëri.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme drejtuesi i delegacionit për dialogun, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ka njoftuar se ky ekip do të takohet me zyrtarë të BE-së në fillim të muajit janar 2019 për të diskutuar rreth çështjes së negociatave.
Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se në fazën finale të bisedimeve mund të ketë përfshirje edhe të shteteve të fuqishme të botës, të SHBA-së dhe të Rusisë.
Përderisa inkuadrimin e SHBA-së e ka kërkuar vazhdimisht pala kosovare, atë të Rusisë nuk po rresht së kërkuari Serbia. Porse ish-kryenegociatorja e dialogut, Edita Tahiri, ka thënë se pala serbe duhet ta dijë mirë që aty ku merr pjesë Rusia nuk ka marrëveshje.