Pas mbylljes së pikës kufitare në Jarinjë, është mbyllur edhe ajo në Bërnjak.
Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se ky veprim është ndërmarrë si masë paraprake e sigurisë, marrë parasysh edhe disa bllokime rrugësh në këtë pjesë.
“Bazuar në vlerësimet policore, po ashtu si masë paraprake e sigurisë, përderisa ka disa bllokime edhe në rrugën në drejtim të Pikës Kufitare Bërnjak, Policia e Kosovës tani ka mbyllur përkohësisht për qarkullim edhe këtë pikë kufitare”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Meqë tani dy Pikë Kalimet Kufitare në veri të vendit janë mbyllur për qarkullim si pasojë e barrikadave të vendosura, ftohen qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim.”
Paraprakisht, Policia njoftoi edhe për mbylljen e pikës kufitare në Jarinjë, si pasojë e barrikadave.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se përgjatë së shtunës, pjesëtarë të komunitetit serbë kanë vendosur automjete dhe mjete të rënda në rrugë nacionale të komunave të Leposaviçit, Zveçanit dhe Zubin Potokut.
Policia ka bërë thirrje ndaj qytetarëve të Kosovës që të mos bien pre e thirrjeve dhe provokimeve nga grupet kriminale në veri.