Pas katër muajsh arrijnë insulinat në Kosovë

21:32 | 17 July 2021

Pas katër muajsh arrijnë insulinat, në Obiliq fillon shpërndarja e tyre nesër.

Gjatë të shtunës ekipet përkatëse të Qendrave të Mjekësisë Familjare në vend janë furnizuar me insulina nga Ministria e Shëndetësisë.

Këto furnizime po bëhen pas katër muajsh mungese të këtyre preparateve jetike për pacientët me diabet, derisa Ministria e Shëndetësisë u furnizua me to të premten ku i ftoi edhe komunat për t’i marrë këto ilaçe.

E meqë këto furnizime po bëhen gjatë kësaj fundjave, barnatoret e QKMF-ve nëpër komuna nuk punojnë të shtunave dhe të dielave, përveç ditëve të punës.

Mirëpo, QKMF-ja e Vitisë ka marrë një vendim në mënyre që insulinë-marrësit mos ta presin më për t’u furnizuar, prandaj për qytetarët i ka hapur dyert në këtë vikend.

Këso gatishmërie ka treguar edhe QKMF-ja në Obiliq, ku të dielën njësia e barnatores do të punojë nga ora 8:00 deri në orën 15:00 të pasdites.

Megjithatë disa nga komunat e mëdha si Prizreni, Peja dhe Fushë Kosova shpërndarjen e insulinave për qytetarët do ta bëjnë nga e hëna.

Ministria e Shëndetësisë ka furnizuar me insulina të llojit Novomix, Novorapid dhe Levemir.

Komento: