Pas lajmit se është ndërprerë stërvitja në Bullgari, reagon FFK

20:34 | 08 Qershor 2019

Federata e Futbollit ka dalë me një reagim pas lajmeve që është ndërpresë stërvitja e futbollistëve të kombëtares në Bullgari.

Disa tifozë kanë bërë thirrje raciste, duke bërtitur “myte, myte shqiptarin”, por kjo sipas FFK-së, nuk ka qenë asnjë pengesë për të zhvilluar stërvitjet dhe ato kanë shkuar ashtu siç ishte paraparë.

Njoftimi:

Federata e Futbollit e Kosovës demanton raportimet e mediave se stërvitja e sotme në Sofje është ndërprerë për kinse provokimet nga tifozët bullgarë. Raportimet e tilla në prag të ndeshjes janë qëllimkëqija dhe si të tilla ne si FFK i vlerësojmë të dëmshme edhe për atmosferën në ekipin kombëtar. Stërvitja e sotme ka shkuar sipas parashikimeve të stafit të trajnerëve, ku pjesa e futbollistëve që kanë luajtur në ndeshjen e djeshme në Podgoricë kanë bërë vetëm rigjenerim, derisa pjesa e futbollistëve që nuk kanë luajtur kanë ushtruar me intensitet më të lartë. FFK falënderon Federatën bullgare për mikpritjen dhe organizimin e mirë. E gjithë ekspedita e Kombëtares ndihet shumë komod dhe për asnjë moment nuk ka vërejtur ndonjë provokim. Sa i përket raportimeve se ka pasur thirrje raciste, një gjë e tillë nuk është dëgjuar nga pjesa e stafit të kombëtares, por që gazetarët e Supersportit mund ta kenë hasur në rrugë.

Komento: