Pas Malishevës, edhe kjo komunë merr vendim të shtyjë fillimin e gjysmëvjetorit të dytë

17:41 | 11 Janar 2026

Drejtoria për Arsim në Komunën e Fushë Kosovës ka njoftuar se fillimi i gjysmëvjetorit të dytë në të gjitha institucionet arsimore shtyhet deri më 19 janar 2026.

Sipas njoftimit zyrtar, ky vendim është marrë si pasojë e gjendjes aktuale të krijuar nga kushtet e pafavorshme atmosferike. Reshjet e shiut dhe borës kanë vështirësuar qarkullimin, ndërsa në disa shkolla janë paraqitur probleme edhe me sigurimin e ngrohjes.

“DKA ka vlerësuar se nuk janë krijuar kushtet minimale për zhvillimin normal të procesit arsimor. Ky vendim është marrë në funksion të sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor, si dhe për të garantuar mbarëvajtjen e rregullt të procesit mësimor”, thuhet në njoftim.

Nga Drejtoria për Arsim u është kërkuar drejtuesve të institucioneve arsimore që të njoftojnë me kohë stafin mësimdhënës dhe prindërit lidhur me këtë vendim.

Komento: