
Kosova ka arritur një marrëveshje të rëndësishme sot me Serbinë.
Përfaqësuesi i Lartë i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka kërkuar nga pala kosovare dhe ajo serbe që të arrihet sa më shpejt një marrëveshje për çështjen e targave.
Borrell këtë e ka deklaruar me anë të një video-mesazhi të shpërndarë në llogarinë zyrtare të tij në ‘Twitter’. I njëjti ka përshëndetur marrëveshjen e arritur për çështjen e dokumenteve, teksa ka falënderuar SHBA-në për mbështetjen, shkruan lajmi.net.
“Dua të falënderoj partnerët amerikanë për mbështetjen e tyre të BE-së për dialogun dhe gjithashtu dua të falënderoj Miroslav Lajçak për punën e shkëlqyer që ka bërë”, deklaroi mes tjerash Borrell.
Ai ka thënë se Europa nuk pranon më luftëra e konflikte, por do zgjidhje të tyre.
“Puna nuk ka mbaruar. Pres që të dy liderët të tregojnë konstruktivitet për të zgjidhur çështjen e targave. E kam thënë shumë herë, në kohën e luftës së Ukrainës, me sfidat me të cilat po përballemi,, ne në Europë nuk kemi më nevojë për probleme, nuk kemi nevojë për tensione, na duhen zgjidhje për Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ai.
Shefi i diplomacisë së unionit europian ka falënderuar liderin kosovar dhe atë serb për marrëveshjen e arritur. Mirëpo, Borrell ka veçuar Vuçiqin, për të cilin thotë se “ka treguar përgjegjësi dhe lidership sot”.