Pas mbledhjes, kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka sqaruar qëndrimin e partisë së tij për dialogun.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka sqaruar qëndrimin e partisë së tij karshi dialogut Kosovë-Serbi, pas mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë së LDK’së, në pasditen e së mërkurës.
Nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social Facebook, në internet, Mustafa ka bërë të ditur se LDK’ja nuk do t’i bashkohet ekipit të dialogut, të votuar nga Kuvendi i Kosovës.
“Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së LDK-së rikonfirmuam qëndrimin tonë për dialogun”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij në Facebook.
“LDK përshëndetë dhe mirëpret përkrahjen e Presidentit Trump si dhe atë të BE-së për dialogun”, ka shtuar ai.
“LDK do të realizojë fuqishëm rolin e saj opozitar për t’i kontribuar këtij procesi”, ka thënë Mustafa.
“LDK nuk do të bëhet pjesë e ekipeve të improvizuara dhe jolegjitime, sepse dialogu kërkon qasje shumë serioze dhe vendime që mund ti marrin vetëm ata që kanë përkrahje të qytetarëve”, përfundon shkrimi i Mustafës.