
Pas përfundimit të procesit të votimit në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë sot më 28 dhjetor, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka dalë me një deklaratë publike duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së vullnetit të qytetarëve të shprehur përmes votës.
Në fjalën e tij drejtuar opinionit publik, Kurti u shpreh se procesi zgjedhor hyn tashmë në një fazë po aq të rëndësishme sa edhe vetë dita e votimit. “Vullneti i qytetarëve tashmë gjendet në kutitë e votimit. Ruajtja e këtij vullneti të shprehur është esencial për legjitimitetin dhe kredibilitetin e procesit zgjedhor”, deklaroi ai.
Sipas Kurtit, vota e qytetarëve përfaqëson përcaktimin për drejtimin e ardhshëm të vendit dhe funksionimin e institucioneve. Ai nënvizoi se përgjegjësia tani bie mbi komisionerët dhe vëzhguesit zgjedhorë, të cilët kanë rol kyç në garantimin e një procesi të rregullt dhe transparent të numërimit.
“Aty e kemi përcaktimin për të ardhmen e vendit tonë dhe të institucioneve të tij”, theksoi Kurti.
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt atyre që janë të angazhuar në administrimin e procesit pas votimit, ai tha se vëmendja e plotë e institucioneve dhe partisë që drejton është e përqendruar tek ta.
“E për këtë gjë, mendjet, sytë dhe veshët tanë janë te ju komisionerë dhe vëzhgues. Keni detyrë tejet të rëndësishme, vendimtare”, u shpreh Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes bëri thirrje për profesionalizëm, integritet dhe përkushtim maksimal gjatë procesit të numërimit të votave, duke shtuar se çdo parregullsi eventuale do të cenonte besimin e qytetarëve në demokraci. Ai theksoi se zgjedhjet nuk përfundojnë me mbylljen e qendrave të votimit, por vetëm kur çdo votë numërohet drejt dhe rezultati përfundimtar pasqyron realisht vullnetin e shprehur nga qytetarët.
Kurti gjithashtu falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen në zgjedhje, duke e cilësuar angazhimin e tyre si shenjë të pjekurisë demokratike të shoqërisë. Ai u shpreh optimist se procesi do të përmbyllet në mënyrë të rregullt dhe në përputhje me standardet demokratike./tvklan.al