Pas miratimit të rezolutës, Kosova do të paraqitet me dy qëndrime në Bruksel

08:17 | 17 December 2018

Para pak kohe Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën për dialogun me Serbinë.

Përmes saj caktohet edhe ekipi i ri negociator, Kosova do të paraqitet me dy qëndrime në Bruksel.

Derisa presidenti Hashim Thaçi, i cili e ka filluar fazën finale të dialogut, po kërkon korrigjim të kufijve, ekipi negociator është kundër kësaj ideje.

Pavarësisht se deputetët e partive në pushtet dhe ata të Partisë Socialdemokrate të shtunën votuan rezolutën dhe ekipin negociator për dialogun me Serbinë, një gjë e tillë nuk pritet ta zbehë rolin e presidentit Hashim Thaçi në këtë proces, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Kështu vlerësojnë monitoruesit e procesit të dialogut, të cilët thonë se kreu i shtetit do të vazhdojë t’i udhëheqë negociatat me Serbinë sipas mandatit kushtetues.

Megjithëkëtë, përfaqësuesit e partive që janë pjesë e delegacionit konsiderojnë se roli i ekipit do të jetë tejet i rëndësishëm në bisedimet me Serbinë.

Madje ata janë shprehur të vendosur se rezoluta e miratuar do ta ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës pavarësisht pretendimeve të kreut të shtetit për korrigjim të kufijve.

Por njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se pikërisht ideja e korrigjimit do të bëhet shkas i përplasjes dhe përçarjeve në mes ekipit negociator dhe presidentit

Ndërkohë, ani pse PSD-ja tashmë është bërë pjesë e delegacionit, dy partitë e tjera opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës e Lëvizja Vetëvendosje e kanë kritikuar ashpër këtë veprim, duke cilësuar si të atillë që assesi nuk çon deri te zgjidhja.

Komento: