Pas miratimit të rezolutës së dialogut, PSD-ja bën këtë veprim të papritur

23:12 | 15 Dhjetor 2018

Kuvendi i Kosovës sonte ka miratuar rezolutën e PSD-së për dialog.

Me 59 vota për, 2 abstenime Kuvendi e miratoi rezolutën për ekipin negociator me Serbinë, të propozuar nga PSD’ja. Shefi i Grupit Parlamentar i PSD-së, Dardan Sejdiu ka thënë se votimi i sotëm i projekt-rezolutës për dialogun është fitore e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Kjo e bën Kuvendin institucionin më të lartë vendimmarrës me rol qendror në procesin e dialogut, duke mundësuar dialog me ligj dhe me platformë shtetërore. Kjo rezolutë mundëson përfaqësim gjithëpërfshirës në delegacionin negociues shtetëror, vendimmarje konsensuale, si dhe bashkëveprim e pajtim të domosdoshëm midis kuvendit, delegacionit shtetëror dhe liderëve institucionalë”, ka shkruar Sejdiu në Facebook.

Pas kritikave të LDK-së dhe LVV-së në drejtim të PSD-së e cila i është bashkuar ekipit negociator qeveritar, Sejdiu është shprehur se marrëveshja eventuale me Serbinë nuk i takon asnjë njeriu dhe asnjë subjekti politik.

“Është çështje për të cilën duhet vendosur bashkë. Sot dhe nesër. Siç vendosëm dje për ushtrinë. Ka ardhur koha të jemi bashkë kundrejt Serbisë, përtej betejës për pushtet. Koha është të marrim përgjegjësi për dialogun final me Serbinë, si çështje e interesit shtetëror”, ka përfunduar ai.

Ndërkaq, më e ashpër në reagim ka qenë Natyra Kuçi po ashtu nga PSD.

Ajo përmes Facebook-ut është shprehur se dialogu me Serbinë është çështje e interesit kombëtar dhe shtetëror, “përtej luftës së përditshme partiake për pushtet”.

“Cilidoqoftë pushteti, Kosova duhet të jetë bashkë në dialogun me Serbinë. Çështje tjetër është për ata që vuajnë se nuk janë në pushtet. Partia Socialdemokrate nuk e ka këtë problem. Nuk i bashkohet këtij pushteti. Por, PSD do të marrë përgjegjësi në çdo proces të interesit kombëtar dhe shtetëror, sepse ai interes nuk është i asnjë njeriut dhe asnjë subjektit të veçantë politik. Aty jemi dhe do të jemi. Bashkë. Për Kosovën”, ka shkruar ajo.

Komento: