Dy zyrtarë të lartë të Administratës së Donald Trumpit javën e kaluar vizituan Kosovë.
Ata me qëndrimet e tyre shkaktuan tërmet.
Javën që vjen Prishtina do të vizitohet nga dy zyrtarë të tjerë, tash të kabinetit të Angela Merkelit.
Dy supërfuqitë më të mëdha perëndimore, SHBA’ja dhe Gjermania, e kanë rritur interesimin për Kosovën.
Javën e kaluar në Prishtinë ishin dy këshilltarë të Këshilltarit për Siguri Kombëtare të SHBA’së, John Bolton, kurse javën që vjen në Prishtinë do të vijnë dy këshilltarët kryesorë për politikë të jashtme, të kancelares gjermane Angela Merkel, Matthias Luettenberg dhe Jan Hecker.
“Ata do të vijnë në Prishtinë me 11 mars, për ta takuar Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Haradinaj”, ka thënë një burim i Gazetës Express që ka kërkuar që të mbetet anonim.
Sipas këtij burimi temë qendrore e këtyre takimeve do të janë taksa dhe dialogu.
Qeveria e Gjermanisë, për dallim nga ajo amerikane, deri më tash ka qënë më e balancuar në raport me taksën ndaj Serbisë, duke e qortuar Kosovën për këtë masë, por edhe Serbinë për fushatën e saj negative ndaj Kosovës.
Në çdo prononcim për këtë temë, zyrtarët gjermanë janë treguar të kujdesshëm.
Vizita e këtyre dy këshilltarëve kaq të lartë pritet që të jetë kritike në raport me të ardhmen e taksës ndaj mallrave serbe, por edhe për dialogun në tërësi.
Fuqia e z. Haradinaj për t’i rezistuar presionit amerikan thuhet që ka ardhur nga një përkrahje në heshtje e Qeverisë së Gjermanisë, sikurse spekulohet tej mase se Presidenti Thaçi është i ekskomunikuar nga gjermanët.