Pas pezullimit të Krasniqit Rizvanolli viziton KEK-un, pritet nga zv. Kryeshefi

20:47 | 25 Prill 2023

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli ka vizituar Korporatën Energjetike të Kosovës pas arrestimeve të fundit që janë bërë në këtë ndërmarrje publike ditët e fundit ku kryeshefi Nagip Krasniqi është dërguar në paraburgim në dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Në njoftimin e bërë nga KEK-u lidhur me vizitën e Rizvanollit, thuhet se ajo u njoftua nga afër me sfidat dhe proceset që po kalon ndërmarrja. Ajo është pritur në takim nga ushtruesi i detyrës së Kryeshefit, Përparim Kabashi. Ajo u sigurua nga Kabashi që dy termocentralet po punojnë pandërprerë.

Të martën gjatë ditës, Bordi i Korporatës Energjetike të Kosovës, ka pezulluar nga puna kryeshefin ekzekutiv, Nagip Krasniqi pas arrestimit nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për keqpërdorim me detyrën dhe autoritetin zyrtar.

Ky është njoftimi i plotë:

Ministrja Rizvanolli viziton KEK-un

Sot, KEK-un e ka vizituar Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli e cila është mirë pritur nga zv. Kryeshefit Ekzekutiv (u.d.) i KEK-ut, Përparim Kabashi me bashkëpunëtorë dhe Bordi i Drejtorëve, me ç‘rast znj. Rizvanolli u njoftua për gjendjen aktuale, sfidat dhe proceset nëpër të cilat po kalon KEK-u.

Lidhur me këtë, zv. Kryeshefi Ekzekutiv (u.d.) dhe Bordi i Drejtorëve duke falënderuar Ministren Rizvanolli për mbështetjen e vazhdueshme të dikasterit që ajo drejton, siguruan se është duke u punuar pandërprerë në të dy termocentralet për të prodhuar energji elektrike konform planit dhe bilancit energjetik. Tutje ata theksuan se pjesa më vitale e korporatës janë punëtorët e saj duke shprehur gatishmërinë për t’i përkrahur në të gjitha kërkesat e punëtorëve të cilat kanë bazën ligjore dhe të cilat korporata ka kapacitetet ekonomike për t’i përballuar.

Me respekt,

Departamenti për Marrëdhënie

me Publikun dhe Komunitete

KORPORATA ENERGJETIKE E KOSOVËS

Komento: