Pas prangosjes së shtetasit rus në Veri, vjen kërcënimi nga Rusia për Kosovën

19:38 | 31 May 2019

Rusia kërcënon me “pasoja afatgjata” Kosovën.

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë ka kërcënuar Kosovën me “pasoja afatgjata” për shkak të, siç thotë kjo ministri, “mos-respektimit të Kombeve të Bashkuara nga ana e Prishtinës”.

Në këtë njoftim, siç raporton agjencia serbe e lajmeve “FoNet”, MPJ-ja ruse thotë po ashtu se do të vazhdojë të ndërmarrë gjithçka është e nevojshme që të mbrojë shtetasin e vet, punëtorin e UNMIK-ut, Mikhail Krasnoshchenkov, të cilin njësia speciale e Policisë së Kosovës e prangosi në Zubin Potok gjatë aksionit në veri dhe të cilin po ashtu e shpalli person “non grata”.

“Veprimet e autoriteteve në Kosovë i shohim si përkeqësim shtesë të marrëdhënieve ndëretnike në krahinë dhe si përbuzje ndaj normave ndërkombëtare të komunikimit diplomatik. Në këtë mënyrë, Prishtina demonstron mos-respektim ndaj Kombeve të Bashkuara, gjë që do të ketë pasoja afatgjata”, ka paralajmëruar ministria ruse, duke shtuar se është e pamundur të vërehet se hapa të tillë janë të mundshëm vetëm me mbështetjen e Perëndimit, raporton Koha.

“Rusia do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur qytetarët e saj në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe legjislacionin kombëtar”, deklaron kjo Ministri.

Kujtojmë se Mikhail Krasnoshchenkov, punëtor i UNMIK-ut, kishte penguar aksionin e Policisë së Kosovës, duke vendosur si barrikadë veturën e tij zyrtare për ta bllokuar rrugën.

Komento: