Pas presionit ndërkombëtar, tërhiqet pak Qeveria: Kurti jep disa afate shtesë për targa

18:16 | 28 October 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat mbetet në fuqi, por me disa ndryshime.

Siç ka treguar kryeministri Kurti, do të shkohet me shkallëzim të masave.

Sipas vendimit “të ri”, deri me datën 21 nëntor do të jetë në fuqi masa e qortimit, nga 21 nëntori deri më 21 janar masa e gjobitjes, kurse nga 21 janari, për dy muaj do të përdoren disa targa provuese, derisa 23 prilli i vitit 2023 do të jetë dita kur targat ilegale përfundimisht nuk do të lejohen.

“Ato janë targa ilegale. Qeveria ka obliguar qytetarët t’i kthejnë në targa RKS. Tash ne kemi zhvilluar diskutime edhe të brendshme edhe me organet e sigurisë. Kemi ardhur në përfundim të sjellim propozim një vendim që bën sekuencim dhe shkallëzim të sanksioneve me rastin e zbatimit të këtij vendimi.

Për tri javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të jetë masa e qortimit, pastaj për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill s’mund të ketë sepse s’mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës.

Pra me këtë rast me këtë sekuencim dhe shkallëzim ne tregojmë seriozitetin tonë që padyshim ta zbatojmë vendimin që kemi marrë e t’u japim shanse të gjithë atyre që dëshirojnë të integrohen”, ka thënë kryeministri Kurti.

Komento: