Pas Prishtinës, diplomatët ndërkombëtarë menjëherë nisën për në Beograd

14:21 | 20 January 2023

Pesë diplomatët ndërkombëtarë që ishin për takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, tashmë janë nisur për në Beograd, ku pritet të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Takimi në Prishtinë, që zgjati për më shumë se dy orë, për emisarin special të dialogut Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, nuk ishte i lehtë por ishte takim i hapur dhe i sinqertë.

Lajçak tha se është ende herët për të bërë ndonjë deklaratë dramatike, por se pritjet i kishin më të mëdha për sa i përket propozimit për normalizimin e marrëdhënieve.

“Qëllimi i takimit me Kurtin ishte propozimi ynë për normalizim të marrëdhënieve që e prezantuam në shtator dhe pastaj në dhjetor. I kaluam më shumë se dy orë, takimi ishte i gjatë, jo i lehtë, por ishte i sinqertë dhe i hapur. Është ende herët të bëjë ndonjë deklaratë dramatike, sepse siç e dini ne jemi në mes të misionit tonë dhe do të udhëtojmë edhe për në Beograd.Nuk mund të them shumë, por mund të them se kemi pritur mirëkuptim më të madh për mundësitë që ofron ky propozim. Shpresoj se do të arrijmë aty. Ne do të vazhdojmë të punojmë”, tha para gazetarëve Lajçak.

Kujtojmë se me Lajçak në takim ishin edhe emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, këshilltari për politikë të jashtme dhe siguri i Gjermanisë, Jens Plettner, ai i Francës, Emmanuel Bonne dhe këshilltari për politikë të jashtme dhe siguri të kryeministres të Italisë, Francesco Talo.

Komento: