Familja e Naser Makollit kërkon hetim të ri.
Naser Makolli e Astrit Dehari ishin shokë dhome në qelinë në Prizren për disa muaj.
Ata ishin lidhur e Makolli ishte personi i parë që pasditen e 5 nëntorit e gjeti pa shenja jete Deharin në qeli.
Por, sipas familjes së tij, vetëm disa muaj pas kësaj ngjarjeje, atij filluan t’i shfaqen probleme shëndetësore, e rreth 5 muaj më pas, ai u nda nga jeta, siç u tha nga organet, për shkak të problemeve në lukth.
Megjithëkëtë, tani, familja e Naser Makollit ka dyshime për rrethanat se si e humbi jetën.
Për ta, shtytje për të kërkuar drejtësi është ekspertiza zvicerane që konstatoi se në rastin e Deharit kishte dorë edhe një person i tretë.
Ndërkaq, bashkëshortja e Naser Makollit, Suzana Makolli, beson se ai u privua nga jeta pikërisht për shkak të afërsisë me Astrit Deharin.
Sipas saj, Makolli, pas humbbjes së Astritit, kishte filluar të kishte probleme.
Bashkëshortja e Naser Makollit thotë se ndryshimet më të mëdha i ka vërejtur në fizikun e tij, për shkaqe që nuk dihen.
Familjarët e Naser Makollit thonë që posedojnë materiale që lidhen me Astrit Deharin e që tregojnë për relacionin që ky i fundit kishte me Makollin.
Ndërkaq, njoftojnë se ligjërisht do të kërkojnë edhe sqarime për rastin e tij.