Rama paralajmëron rimbylljen e Shqipërisë pas rasteve të shtuara me koronavirus.
Edhe pse premtoi se nuk do të kishte më komunikime nga ana e tij sa i përket situatës nga koronavirusi, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka bërë një dalje të radhës. Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se pasojat e një mbylljeje të dytë do të ishin të rënda. Gjithsesi, kreu i qeverisë shtoi se nëse numri i të infektuarve vijon që të rritet, mund të mbyllet vendi sërish.
Rama u shpreh:
“Nuk i vë dot faj askujt prej jush që u mërzit nga mbyllja e madhe. Nuk i vë faj as atyre prej jush që gjithnjë e më shumë në kalimin e javëve që kujtuan krejt gabimisht që rezultatet nuk lidheshin me masat që u morën. Nuk u vë faj as atyre që thonin hip se të vrava zbrit se të vrava. Kur vendosëm javë pas jave të heqim masat dhe të lirojmë punët ishim të qartë se hapja do të sillte rrezikun e harresës por bëmë gjënë e duhur. E bëmë në kohën e duhur me protokollet e duhura për të gjithë. Jam dakord me çdokënd që kërkon më shumë kthimin në normalitet. Kemi zgjedhur me vetëdije rrugën e këshillimit dhe të ndërgjegjësimit. Kemi dashur të jemi mirëkuptues dhe bëjmë çmos ta lehtësojmë sa të mundemi hallin që na zuri të gjithëve bashkë. Pasoja më normale pas hapjes që po u ndodh të gjithë vendeve. Ju kemi kërkuar vijimësisht të mirëkuptoni nevojën për solidaritet të ri në respektimin e rregullave, me policë dhe ushtarë mund të kontrollosh mbylljen por nuk mund të disiplinosh hapjen nëse qytetarët nuk bëjnë detyrat e thjeshta. Nuk kam ndryshuar mendim. Për bukën e gojës në Shqipëri nuk ka vdekur askush. Po kaq e vërtetë është edhe tjetra, që një mbyllje tjetër do ishte dërrmuese..”
Po ashtu, kreu i qeverisë theksoi se jemi ende në kohë për të kontrolluar ndikimin e atij që ai e quan armiku i padukshëm.
Numrat janë të lartë por sipas tij situata është nën kontroll. Rama shtoi po ashtu se tashmë kjo luftë vendoset më shumë nga qytetarët dhe jo nga mjekët, nga zbatimi i protokolleve dhe i distancimit social.
Gjithashtu kryeministri theksoi se nuk do të lejohen më grumbullimet politike dhe “secili që merr pjesë në grumbullime të tilla do të marrë përgjegjësi individuale.”
“Fatkeqësisht do të na duhet të mbyllemi dhe të provojmë sëkëlldinë. Nuk dua ta zgjas me atë që do heqim po të rimbyllemi sërish sepse ende jemi në kohë, për të frenuar armikun e padukshëm i cili nuk ka ikur asnjëherë. Numrat janë shqetësues por ende janë nën kontroll. Trupa mjekësore vazhdon të jetë në gatishmëri totale, gatishmëria jonë vazhdojnë në investimet mjekësore, por numri i rasteve varet nga qytetarët, se si dhe se sa i bën detyrat. Nuk do të lejojmë më asnjë lloj grumbullimi qoftë edhe politik, vazhdoni punën, liria e lëvizjes është e garantuar, por grumbullime më shumë se sa numri i lejuar sipas protokolleve të sigurisë nuk do të lejohen. Policia e shtetit është në gatishmëri që të bëj detyrën. Bizneset që nuk respektojnë protokollet nuk do të tolerohen më”,tha Rama.
Duke thënë se kështu nuk vazhdohet, Rama shtoi se nëse duam që t’ia dalim mbanë do duhet që të jetojmë me rregullat e reja.
Sipas kreut të qeverisë, nëse sot bëjmë të gjithë detyrat e thjeshta të distacnimit social, “jemi në rrugë të mbarë dhe vitin e ardhshëm do të shohim fryte që nuk i kishim menduar më parë.”
“Motra dhe vëllezër te më ndjeheni edhe njëherë por kështuy nuk vazhdohet. Nëse duam t’ia dalim mbanë kësaj lufte, do të duhet të jetojmë me rregullat e reja. Sot kur po e shohim si po rriten numrat dhe si po rishfaqet, rreziku që është i njëjti, duhet minimalisht të heshtë dhe të zbatojë rregullta. Virusi nuk ka këmbe por ka këmbët e budallallëkut njerëzor. Ky është një moment ku duhet të mendojmë dhe të punojmë bashkarisht për rimëkëmbjen për lehtësimin e barrës, për të gjithë ata që krijojnë dhe japin punë për përshpejtimin e zhvillimit, ku në një fazë pasi të kemi formalizuar planin tonë të rimëkëmbjes do të na duhet të provojmë se ja dolëm në përballimin e sfidës shëndetësore dhe ekonomike. Nëse ne sot bëjmë të gjithë detyrat e thjeshta të distacnimit social, jemi në rrugë të mbarë dhe pa diskutim vitin e ardhshëm do të shohim fryte që nuk i kishim menduar më parë,” përfundoi fjalën e tij Rama.