Pas rastit të parë me koronavirus në Superligë, Munishi i quan amatorë FFK-në dhe MSH-në

21:06 | 20 May 2020

Munishi i ka quajtur amatorë FFK-në dhe Ministrinë e Shëndetësisë, pas rastit të parë me koronavirus në Superligë.

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, i ka quajtur amatorë Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) dhe Ministrinë e Shëndetësisë për lejimin e rikthimit të futbollit midis pandemisë koronavirus, pasi një futbollist i Dritës doli pozitiv në testin për Covid-19 të mërkurën.

Drita njoftoi të mërkurën pasdite se njëri prej futbollistëve të saj ka dalë pozitiv në testin për Covid-19, duke u bërë kështu lojtari i parë i Ipko Superligës që ka koronavirus.

Lajmi se Izair Emini është infektuar me koronavirus vjen vetëm pak ditë pasi Ministria e Shëndetësisë vendosi t’i lejojë klubet e Ipko Superligës – ligës elitare kosovare – t’i rifillojnë stërvitjet.

Futbolli në vend u pezullua në fillim të marsit dhe FFK-ja bëri trysni tek autoritetet shëndetësore ta lejojnë rikthimin e futbollit me lehtësimin e masave dhe e mori aprovimin. Futbolli pritet të rikthehet më 2 qershor me ndeshjet e Kupës dhe pastaj me ato të Ipko Superligës.

Ismet Munishi, njëri prej personave më të zëshëm për ndërprerjen e sezonit para kohe në Superligë dhe shpalljen e ekipit të tij kampion automatikisht, nuk është përmbajtur në një reagim në rrjetet sociale, pas lajmit se 34-vjeçari i Dritës ka koronavirus.

Ai i ka quajtur amatorë përgjegjësit e rikthimit të futbollit, duke sugjeruar se ai kishte të drejtë kur bënte thirrje për ndërprerjen e parakohshme të kampionatit.

“Amatera folni tash . Rrezikoni jeten e njerzve per interesa personale . Sherim te shpejt Izair Emini nga Covid 19”, ka shkruar Munishi në Facebook.

Ballkani i Munishit është lider i Superligës me 44 pikë, një më shumë se përcjellësi i parë Drita dhe tri më shumë se Gjilani dhe Prishtina.

Deri në përmbyllje të Superligës kanë mbetur dhe 11 ndeshje, përfshirë duele të drejtpërdrejtave mes klubeve të përfshira në një garë të nxehtë për titull.

Komento: