
Bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, anuloi fjalimin kryesor që pritej të mbante në samitin për Inteligjencën Artificiale në Indi, vetëm pak orë përpara paraqitjes së planifikuar.
Bill & Melinda Gates Foundation, organizata filantropike e miliarderit, e justifikoi vendimin si një përpjekje për të siguruar që vëmendja të mbetet e përqendruar te konferenca, pa dhënë sqarime të mëtejshme.
Tërheqja vjen pas rikthimit të kritikave për marrëdhënien e tij me të dënuarin për krime seksuale Jeffrey Epstein, si dhe spekulimeve nëse kjo lidhje rrezikonte të errësonte misionin e përgjithshëm të fondacionit.
Vendimi u mor “pas një shqyrtimi të kujdesshëm dhe për të siguruar që vëmendja të mbetet te prioritetet kryesore të Samitit për Inteligjencën Artificiale”, thuhet në një postim të fondacionit në platformën X.
Gates e ka cilësuar më herët marrëdhënien e tij me Epstein si një gabim të madh dhe ka deklaruar se është penduar për darkat që kishte zhvilluar me financierin e ndjerë në disa raste.
Drejtori ekzekutiv i fondacionit, Mark Suzman, u tha më herët këtë muaj punonjësve se lidhja me Epstein kishte njollosur reputacionin e organizatës, sipas një raportimi të Financial Times. Përfaqësuesit e fondacionit refuzuan të komentojnë më tej vendimin e Gates, përtej deklaratës publike.
Samiti indian për Inteligjencën Artificiale nisi këtë javë në New Delhi, si pjesë e ambicies strategjike të kryeministrit Narendra Modi për ta shndërruar vendin më të populluar në botë në një fuqi globale në inteligjencën artificiale dhe teknologji. Në vend të Gates do të flasë drejtuesi i fondacionit për Indinë dhe Afrikën.
Microsoft ka njoftuar se do të investojë 50 miliardë dollarë për të forcuar përhapjen e inteligjencës artificiale në Jugun Global.