
Policia apelon për kujdes në komunikacion.
Pas reshjeve të borës, Policia e Kosovës kërkon kujdes më të madh nga drejtuesit në trafikun rrugor si dhe posedim të pajisjeve dimërore për automjetet.
“Reshjet e borës që kanë filluar në territorin e vendit, varësisht prej intensitetit të tyre mund të krijojnë vështirësi në trafikun rrugor dhe rrugët potencialisht bëhen më të vështira për ngasje të automjeteve, posaçërisht gjatë natës apo gjatë orëve të hershme të mëngjesit. Prandaj, Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që drejtimin e automjetit ta përshtatin me kushtet në rrugë, të respektojnë shenjat e trafikut rrugor, të posedojnë pajisjet dimërore në automjetet e tyre, si dhe të jenë më vigjilent”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës.
Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet dhe në këtë mënyrë të krijohet një siguri më e madhe në trafikun rrugor, thotë më tej Policia.