Pas reshjeve të fundit, rritet niveli i ujit në Kosovë

09:30 | 07 June 2019

Kohëve të fundit ka pasur reshje të mëdha shiu në Kosovë.

Reshjet e mëdha të shiut në Kosovë ditëve të fundit, në disa zona kanë shkaktuar vështirësi nga rritja e nivelit të ujit në lumenj.

Mirëpo, tashmë gjendje është stabilizuar dhe lumenjtë janë në kuotat normale të periudhës kthyese dhe për momentin nuk ka asnjë rrezik nga vërshimet ose përmbytjet në zona të caktuara të Kosovës. Kështu thanë për Radio Kosovën zyrtarë nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Ditëve të fundit vendi ynë është përballur me reshje të mëdha të shiut, dhe si pasojë e këtyre reshjeve në disa zona ka pasur rritje të nivelit të ujit në disa lumenj të Kosovës.

Hidrologu Bashkim Kastrati, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, i tha Radio Kosovës se në ditët në vazhdim reshjet e shiut do të ndërpriten dhe kjo shkon në favor të stabilizimit të nivelit të ujit nëpër lumenj.

“Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, është duke e bërë në vazhdimësi monitorimin e nivelin e lumenjve në tërë territorin e Kosovës, dhe për momentin lumenjtë e Kosovës siç janë: Drini i Bardhë, Lepeci, Ibri, Sitnica, etj, janë në kuotat normale dhe nuk ka asnjë rrezik për vërshime apo përmbytje në zonat të caktuara të Kosovës”, tha ai.

Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina, Arjeta Mjeku, tha se ka një ngritje të lehtë të nivelit të ujit në liqenet akumuluese prej nga konsumatorët furnizohen me ujë të pijshëm.

‘Pas reshjeve atmosferike mbi vendin tonë niveli i ujit në Liqenin e Badovcit është minus 5 metra nën kuotën maksimale, ndërsa në Liqenin e Bakllavës, pas reshjeve kemi ngritje prej 1 metër, dhe tash më kemi minus 4 metra nën kuotën maksimale”, tha ajo

Mjeku, tutje shtoi se si pasojë e reshjeve të fundit, janë rritur edhe rrjedhjet sipërfaqësore në zonat fushore, dhe të njëjtat kanë përfunduar në kanalin e Iber Lepecit. Për pasojë, tha ajo, ka dhe një rritje të turbullirës së ujit.

Komento: