Pas shfuqizimit, Nagavci e gatshme ta negociojë Kontratën e re kolektive

21:54 | 03 January 2023

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka folur edhe për sfidat e ministrisë që drejton, pasi shumë shkolla kanë refuzuar të kompensojnë orët e humbura gjatë grevës së vitit të kaluar, si dhe për kontratën kolektive, e cila tashmë është shfuqizuar.

“Një nga sfidat në sistemin e arsimit mbetet implementimi i suksesshëm i politikave të cilat janë në kompetencë të Ministrisë së Arsimit. Duke pasur parasysh se sipas Ligjit mbi Arsimin në Komuna është në kompetencë të komunave që të bëjnë mbikëqyrjen dhe të sigurohen që proceset të shkojnë mbarë. Për fat të keq, për shkak edhe të arsyeve politike, jo rrallëherë ka pasur sfida në implementim të legjislacionit”, është shprehur ajo.

Megjithatë, Nagavci ka thënë se vitin e fundit kanë bërë punë shumë të mirë sa i përket plotësimit të infrastrukturës ligjore.

”Janë katër ligje të finalizuara, shumë prej të cilave kanë filluar me dekada më herët dhe nuk kanë arritur të finalizohen dhe një varg i udhëzimeve administrative, por tani duhet të bëhet implementimi i tyre në praktikë. Në këtë linjë, si ministri e Arsimit jemi në finalizim të punësimit të 20 inspektorëve dhe shumë shpejt do të hapet konkursi për së paku 20 të tjerë”, ka thënë ministrja.

Sipas saj me këto mekanizma do të sigurohen që në bashkëpunim me partnerët e tjerë të arrijnë që secili të kryejë punën e vet sipas kompetencave dhe përgjegjësive që i ka, përfshirë këtu edhe mbajtjen e mësimit të rregullt ose sigurimin që çdo orë e mësimit të mbahet sipas planifikimit, e jo, siç ka thënë, me shumë lehtësi të merren vendime në nivel të shkollave, qoftë për shkurtim të orëve mësimore apo në rastin më të keq marrja e vendimit për moskompensim të orëve të humbura.

“Në krahasim me shtatorin gjendjen e kemi më të mirë, por është shqetësuese të shihet që me lehtësi merren vendime të tilla”, ka shtuar Nagavci.

Ministrja ka folur edhe për shkëputjen e kontratës kolektive, teksa ka thënë se ekzekutivi është duke punuar që të ketë kontratë kolektive të përgjithshme dhe jo sektoriale.

“Ne kemi dërguar informatën zyrtare te SBASHK-u, por këtë çështje e kemi diskutuar që nga marrja e mandatit sepse kontrata e tillë as nuk mund të konsiderohet valide. Asnjëherë nuk ka qenë e lidhur duke i respektuar kriteret ligjore. Nëse e shihni preambulën e kontratës ajo iu referohet neneve joekzistuese apo ligjeve të shfuqizuara, gjë që nuk e bën valide atë kontratë. Ne, bashkë me informatën zyrtare për këtë çështje, e kemi dërguar edhe ftesën në SBASHK për filluar diskutimet për kontratën e re kolektive dhe këtë e ka përmendur edhe vet kryeministri Kurti, duke thënë se qëllimi dhe orientimi ynë si qeveri është që të kemi kontratë të përgjithshme kolektive e jo vetëm kontrata sektoriale siç ishte në këtë rast kontrata e nënshkruar në kohë të fushatës zgjedhore nga ministri i një subjekti politik”, ka thënë ajo.

Nagavci ka thënë se vullneti dhe gatishmëria e Qeverisë ekziston, por sipas saj SBASHK-u nuk është i interesuar të negociojë kontratë të re.

“Sidoqoftë, besoj se do të reflektojnë sërish dhe do të shohin se është gabim edhe ky qëndrim i tyre”, ka nënvizuar ministrja.

Komento: