Kryeministri Haradinaj sot shkarkoi një ministër serb, e pas kësaj ka reaguar Lista Srpska.
Ata thonë se po shkelen të drejtat e serbëve pas shkarkimit të ministrit serb në Qeverinë e Kosovës, i cili i ka quajtur shqiptarët terrorist.
Lista Srpska ka reaguar pas vendimit të kryeministrit Ramush Haradinaj për ta shkarkuar ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.
“Vendimi që për shkak ‘të vërtetës’ të shkarkohet Ivan Todosijeviq është ‘prova’ më e mirë se Prishtina nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën, por edhe me vendosmërinë e Listës Serbe që gjithmonë të mbrojë interesat serbe në çdo vend”, thuhet në kumtesë.
“Sulmet ndaj anëtarit të kryesisë së Listës Srpska, Ivan Todosijeviq, si dhe rasti i shkarkimit të Rikallos dhe Mikiqit më herët, fatkeqësisht dëshmon gatishmërinë e disa personave që për një grusht eurosh tradhtojnë serbët”, thuhet në kumtesën e Listës Serbe.
Kjo parti i drejtohet ndërkombëtarëve, duke e konsideruar shkarkimin e ministrit të Kosovës që i quajti shqiptarët terroristë, si shkelje e të drejtave të serbëve.
“Ne i përkujtojmë komunitetit ndërkombëtar që këto shkarkime të anëtarëve të Listës Serbe janë një shembull i ndarjes etnike, shkelje e të drejtave kushtetuese. Po ashtu edhe përpjekja për të emëruar si përfaqësues të serbëve atë që njihen si “serbë privatë të shqiptarëve’”, përfundon Lista Srpska reagimin e saj.
Ndryshe, ministri i Administratës së Pushtetit Lokal në datën që kujtonte 20-vjetorin e masakrës së Reçakut, ka bërë një deklaratë diskriminuese dhe të turpshme. Ai nuk ka ngurruar t’i quajë shqiptarët terroristë, ndërsa masakrën e Reçakut e quajti të trilluar.
Menjëherë pas kësaj, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar Ivan Teodosijeviq. Sipas Haradinajt, është e patolerueshme gjuha e përdorur nga ministri serb i Kosovës për masakrën e Reçakut.