Pas shuarjes së Partisë së Fortë, vjen reagimi i “kryetarit lexhendar”

19:05 | 08 Maj 2019

Visar Arifaj, Kryetar i Partisë së Fortë ka bërë një reagim pasi është shuar partia e tij.

“Kryetari Lexhendar”, siç njihej Arifaj, ka thënë në një postim në Facebook se ky është gabimi më i madh që ndonjëherë ka bërë Komisioni Qendror Zgjedhor.

Ai e ka quajtur mashtrim shuarjen e partisë së tij. Sipas tij, Partia e Fortë është mbi ligjin.

Duke lutur votuesit e tij që të mos qajnë, Arifaj ka thënë se ekzistenca e kësaj partie nuk përcaktohet nga fletoret e KQZ-së.

“Partia është vetë ajri që ne thithim e buka që e hamë”, ka thënë ndër tjerash ai.

Sot KQZ-ja vendosi për shuarjen e katër partive politike, përfshirë Partinë e Fortë. Partia e Fortë ishte një parti politike satirike në Kosovë që u formua në vitin 2013.

Ky është postimi i plotë i “Kryetarit Lexhendar”:

Të nderuar nënkryetarë, votues, qytetarë të Kosovës dhe grupe tjera të interesit,

Me pikëllim të thellë shfletoj mediat e paguara nga armiku të cilat me çëllim dashakeqës lajmërojnë për vendimin e KQZ-së rreth çregjistrimit të Partisë së Fortë nga lista e partive politike të republikës sonë të dashur.

Ndonëse vendim ligjërisht i saktë, çregjistrimi i Partisë së Fortë është gabimi më i madh që KQZ e ka bërë ndonjëherë, prej që është themeluar.

Këto manovra politike janë të përgatitura në kuzhinat ruse. Qentë lehin, ujqit ulërijnë, bletat gumëzhojnë, zogjtë cicërojnë, por karavani hecë.

Lajmi për shuarjen e Partisë së Fortë është vetëm rrenë, rrenë, rrenë, mashtrim, mashtrim, mashtrim, manipulim, manipulim, manipulim, fejknjuz, fejknjuz, fejknjuz.

Jam i bindur që prapa këtij vendimi fshihen struktura të cilat i frikësohen PF-së dhe mundohen me çdo kusht të na shohin të rrëzuar përtokë duke u thirrur në ligje e rregullore.

Partia e Fortë është mbi ligjin!

Rregullat dhe ligjet me të cilat përcaktohet se si duhet të funksionojnë partitë politike nuk vlejnë për ne. Ato janë vetëm teknikalitete të cilat ne i kryejmë nganjëherë për hatër të votuesve.

Mos qani votues!

Ekzistenca e Partisë së Fortë nuk përcaktohet nga fletoret e KQZ-së. Partia është vetë ajri që ne thithim. Partia është buka që e hamë. Partia është toka që e puthim kur rrëzohemi dhe ajo që na mbanë kur ngritemi përsëri në këmbë. Partia është çdo gjë që na rrethon!

Mos qani votues!

Sado e trishtë që është ideja se tash nuk ke kujt t’ia dhurosh votën, ne do të jemi sërish aty për t’ua kërkuar atë e me atë votë do të të punësojmë ty, djalin e axhës, balldëskën dhe nëse është nevoja edhe atë kusherinin që nuk e njeh por ai t’mban n’mend ty prej kur ke qenë qekaq (duke bërë me dorë gjestin kinse kur ke qenë sa grima).

Mos qani votues!

Ne do të jemi gjithmonë pranë jush për t’ju premtuar çfarëdo që ju do zemra dhe do të jemi gjithmonë aty për t’mos i mbajtur ato premtime. E ardhmja është kohë e gjatë, thonë. Ende ka shumë beteja për të fituar, shumë miliona për t’u gllabëruar.

Mos qani votues!

Atë vaj kthejeni në kurajo për të vazhduar tutje edhe më të fortë. Pikëllimin kthejeni në vullnet për ta ngritur Partinë lartë mbi supet tuaja.

Dënesjet kthejini në brohoritje. “Rrnoftë Partia!” dua t’ju dëgjoj duke bërtitur me ballin lartë, dorën e djathtë në zemër e të majten në xhepin e tjetërkujt.

Rrnoftë Partia!

Rrnoftë!

Komento: