Pas sulmeve ndaj Policisë në Veri, presidentja mblodhi strukturat e sigurisë

17:00 | 15 Prill 2022

Presidentja Vjosa Osmani është takuar me strukturat e sigurisë së vendit pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës që ndodhën në veri të vendit. Kështu kanë bërë të ditur burimet për Express.

Në mbledhjen që ka përfunduar ajo ka diskutuar për sigurinë në vend dhe për atë që duhet të ndërmerret.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, njoftuar për katër sulme ndaj policisë për tri ditë rresht. Kundër policisë është shtënë me armë zjarri AK-47, granata dhe metoda të tjera për të penguar atë në përmbushjen e detyrës. Në njërin prej sulmeve, Mehmeti ka thënë se dyshohet që të shtënat kanë ardhur nga territori i Serbisë.

Për këtë Presidenca ka thënë se këto sulme erdhën nga “Serbia dhe strukturat e saj kriminale”. Në po të njëjtën linjë u shpreh edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka shkruar se “burimet tona e kanë identifikuar sulmin e djeshëm të ketë ardhur nga territori i Serbisë”. Për më tepër, ai i ka bërë thirrje Serbisë që të distancohet “nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj policisë sonë, disa prej të cilëve policë të sulmuar ishin serbë të Kosovës”.

Sulmin e kanë dënuar edhe Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe Ambasada e SHBA-së.

Komento: