Pas taksës, Shqipëria rriti eksportin në Kosovë për 70 për qind

13:06 | 18 May 2019

Gjatë këtyre muajve sa është duke u zbatuar vendimi për taksën, Shqipëria ka rritur eksportit shqiptar.

Taksa e Kosovës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës po i konvenon eksportit shqiptar.

Sipas Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT) tregohet se biznesi shqiptar po shënon rritje të vazhdueshme në tregun e Kosovës – ani pse pasohet me rënie të ndjeshme me shtetet e tjera.

Vetëm gjatë muajit prill, mallrat e Shqipërisë drejt Kosovës janë rritur me 70.4% për qind, ndërsa në periudhën janar prill me 52 për qind, kjo krahasuar me të njëjtat periudha vitin e kaluar.

Sipas INSTAT, në muajin prill, Shqipëria ka eksportuar në Kosovë saktësisht 25.10 milionë euro mallra, ndërsa po të njëjtën periudhë vitin e kaluar, Shqipëria në Kosovë ka dërguar jo më shumë se 17.43 milionë euro.

E prezenca e mallrave të Kosovës në tregun shqiptar ka pësuar ulje të lehtë.

Kosova në prill të vitit 2018 në Shqipëri kishte eksportuar 6.2 milionë euro mallra, ndërsa në muajin prill të këtij viti, eksporti ka pësuar rënie prej 0.3 milionë euro – ku tani është 5.9.

Produktet që Kosova më së shumti i importon nga Shqipëria sipas këtyre statistikave janë metalet dhe materialet e ndërtimit.

Ushqimet, pijet dhe duhani gjithashtu zënë shumë vend në eksportet e Shqipërisë për në Kosovë, e po ashtu edhe energjia elektrike dhe mineralet.

Vlen të theksohet se nga taksa 100 për qind e Kosovës ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës ka përfituar edhe Maqedonia e Veriut duke rritur eksportin me Kosovën.

Kjo taksë ka hyrë në fuqi tash e 6 muaj dhe edhe pas shumë kërkesave për pezullim e heqje të saj kjo nuk ka ndodhur. /Lajmi.net/

Komento: