Pas urdhër-arrestit ndërkombëtar, Orban sfidon ICC-në dhe fton Netanjahun në Hungari

09:38 | 22 November 2024
pas-urdher-arrestit-nderkombetar,-orban-sfidon-icc-ne-dhe-fton-netanjahun-ne-hungari

Një ditë pasi Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër arrest për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit hungarez Viktor Orban. Në një deklaratë sot (e premte 22 nëntor), ai tha se do të ftonte kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për të vizituar Hungarinë, duke i garantuar se urdhër-arresti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare kundër tij “nuk do të respektohej”.

Orban, vendi i të cilit mban presidencën e radhës gjashtëmujore të Bashkimit Evropian, i tha radios shtetërore se urdhër-arresti i ICC-së ishte “i gabuar” dhe tha se udhëheqësi izraelit do të ishte në gjendje të zhvillonte negociatat në Hungari ” i sigurt”.

“Sot do të ftoj kryeministrin e Izraelit, zotin Netanyahu, për një vizitë në Hungari dhe në atë ftesë do t’i garantoj atij se nëse ai vjen, vendimi i ICC nuk do të ketë efekt në Hungari dhe ne nuk do të ndjekim përmbajtjen e tij” u shpreh Orban.

ICC lëshoi ​​urdhër arresti të enjten për Netanyahun dhe ish-shefin e tij të mbrojtjes, si dhe një lider të Hamasit, Ibrahim Al-Masri, për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit në konfliktin e Gazës.

Që kur Orban dhe partia e tij nacionaliste Fidesz arritën në pushtet në vitin 2010, ai dhe Netanyahu kanë krijuar marrëdhënie të ngushta politike. Netanyahu vizitoi Budapestin në vitin 2017.

Udhëheqësit izraelitë dhe Shtëpia e Bardhë e kanë dënuar ashpër vendimin e ICC-së, ndërsa shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell tha se urdhër-arrestet nuk ishin politike dhe se të gjitha vendet anëtare të BE-së duhet të respektojnë dhe zbatojnë vendimin e gjykatës.

Brenda BE-së, Hungaria dhe Republika Çeke kanë qenë mbështetëse të fuqishme të Izraelit, ndërsa vende si Spanja dhe Irlanda theksojnë mbështetjen e tyre për palestinezët.

Komento: