Pas urdhrit për të shkuar në burg, vjen reagimi i Agim Ademit

12:26 | 03 June 2020

Pas lajmit se do të detyrohet ta mbajë dënimin me burg, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë për Gazetën Express se ai nuk ka marrë ende vendim zyrtar nga Gjykata.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës ishte dënuar më parë me nëntë muaj burgim për detyrim në tentativë për një rast, jashtë futbollit, të ndodhur në vitin 2012.

Ai fillimisht ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, por kjo e fundit e përkrahi vendimin fillestar, që çoi deri te ankesa e Ademit te Gjykata Supreme.

Tani, të mërkurën mediat vendore raportuan se Ademi është urdhëruar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për paraqitje në Shërbimin Korrektues në Prishtinë deri më 18 qershor.

Megjithatë, Ademi, i kontaktuar nga Gazeta Express, mohon të ketë marrë një vendim të tillë nga Gjykata, përderisa shton se ai do t’i marrë hapat adekuat nëse i vjen një hap i tillë.

“Nuk kam asnjë vendim zyrtar. E kam parë nëpër gazeta, por përderisa nuk kam asnjë vendim zyrtar…Prandaj, po them, nuk ka ardhur ende asgjë zyrtarisht. Ky vendim… mbetet ta shohim”, ka thënë Ademi.

“Nëse është ashtu, atëherë normalisht unë pastaj do t’i marr hapat adekuat”.

Komento: