Kreu i LDK-së Isa Mustafa ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila refuzoi si të pa bazë ankesën e LDK-së për balotazhin në Prishtinë.
Sipas tij Gjykata Kushtetuese ka shkelur të gjitha afatet ligjore për të vendosur për kërkesën e Arban Abrashit dhe në fund ka vendosur në interes të pushtetit.
Mustafa përmes një postimi në Facebook, ka thënë se të shtunën Shpend Ahmeti e shpëtoi Qeverinë, sot Kushtetuesja e shpëtoi Ahmetin, përcjell ORAinfo.
Ky është postimi i plotë:
Të shtunën, Shpend Ahmeti e shpëtoi Qeverinë, të hënën Gjykata Kushtetuese e shpëtoi Shpend Ametin. E mira kthehet me të mire! Gjykata Kushtetuese shkeli të gjitha afatet ligjore për të vendosur për kërkesën e Arban Abrashit. Në fund vendosi në interes të pushtetit.
Vendimi i sotëm i kësaj gjykate, më kujtoi një rast të viteve nëntëdhjeta të një mikut tim, profesor nga Tirana. Kishte shkuar në gjykim për të kërkuar lirimin e shtëpisë së tij, që ia kishte uzurpuar një palë. Kur gjykata vendosi në llogari të palës uzurpuese, profesori mbeti ulur në gjykatë, i habitur. Gjykatësi kërkoi të largohet, pasi kishte përfunduar gjykimi. Profesori e pyeti, po si u bë prona ime pronë e tij?! Gjykatësi iu përgjigj, kësaj radhe ky e bëri punën, bëre ti punën radhën tjetër!
Një shtet që e humb besimin në Gjykatën Kushtetuese nuk i ka punët mirë! As shteti e as Gjykata. IM /ORAinfo/