
“Studentët në bllokadë” të Fakultetit Juridik në Novi Sad janë shqetësuar nga vizita e presidentit shqiptar, Bajram Begaj në Luginë të Preshevës, më 8 korrik, duke pyetur, siç kanë bërë në një reagim, nëse kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përgatit terrenin për të “shitur edhe një pjesë të territorit të Serbisë”
Në reagimin e tyre, të titulluar “Tradhti e lartë nën velin e territ informativ”, studentët, të cilët janë pjesë e grupimit kundër Vuçiq, qe gati dy vjet, kritikuan mediat pro qeveritare, duke thënë se ato nuk raportuan për vizitën e Begajt në Bujanoc dhe Preshevë.
“Derisa në Kosovë serbët arrestohen për simbole dhe këngë serbe, ndërsa nuk u lejohet të kalojnë pikat administrative dhe të hyjnë në shtëpitë e tyre, presidenti shqiptar, nën velin e errësirës mediatike, vjen në jug të Serbisë sikur të lëvizte nëpër shtetin e vet”, thuhet në një pjesë të reagimit të studentëve, transmeton KosovaPress. “Pas kësaj, dëgjojmë deklaratën e kryetares së Preshevës se Presheva dhe Lugina e Preshevës janë pjesë e pandashme e botës shqiptare”.
Studentët kanë ngritur edhe pyetjen tjetër “pse asgjë nga kjo nuk mund të shihej apo lexohej në mediat pro regjimit (dhe, rrjedhimisht, as në RTS)?”.
“Nga çfarë kanë frikë dhe a po përgatitet terreni që Aleksandar Vuçiq të shesë edhe një pjesë të shtetit serb?”, pyetën ata. “Kjo qeveri edhe një herë po dëshmon se është tradhtare, ndërsa presidenti i Serbisë po tregon se nofka që i kanë vënë qytetarët e Serbisë i përshtatet plotësisht
Në reagimin e studentëve thuhet se qeveria në Serbi “prej vitesh mbijeton duke u mbështetur në patriotizëm të rremë dhe paraqitet si mbrojtëse e interesave kombëtare, ndërsa me veprimet e saj dëshmon se është gjithçka tjetër, vetëm jo patriotike”.
Lidhur me këtë çështje reagoi edhe Aleksandar Vuçiq, i cili deklaroi se Bajram Begaj kishte marrë të gjitha lejet e nevojshme nga autoritetet serbe për vizitën në jug të Serbisë.
“Ata kërkuan rregullisht dhe morën të gjitha lejet nga autoritetet serbe. Bëhet fjalë për presidentin e Shqipërisë, jo për presidentin e diçkaje (dikujt) tjetër”, tha presidenti serb.
I pyetur nëse personat e armatosur me armë të gjata, për të cilët u bë shumë zhumrë në Serbi, që siguruan vizitën e Begajt në Bujanoc ishin pjesëtarë të forcave shqiptare apo serbe, Vuçiq u përgjigj shkurt: “Tanët”./KosovaPress