Pasi Presidenti Thaçi zhbllokoi KQZ-në, vjen reagimi i Zyrës së BE-së

15:36 | 29 March 2019

Vendimi i Presidentit të Kosovës për të proceduar me emërimin e anëtarëve të, është mirëpritur nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Sipas kësaj zyre që drejtohet nga Apostolova, funksionimi i KQZ-së është jetik për demokracinë në Kosovë.

“Mirëpresim vendimin e presidentit Thaçi për të caktuar anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor. Funksionimi i KQZ-së është esencial për demokracinë e Kosovës”, thuhet nga kjo zyrë.
Mirëpo emërimi i anëtarëve të KQZ-së është zvarritur nga presidenti Thaçi për një vit me radhë. Edhe përkundër reagimeve të partive politike, ai kishte zvarritur procesin e emërimit të anëtarëve të KQZ-së.

Vetëm pas thirrjes së Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Thaçi ishte aktivizuar, dhe të enjtën ka dekretuar tetë anëtarët e rinj të KQZ-së.

Kanë mbetur pa u dekretuar edhe dy anëtarë të koalicionit PAN, në të cilin është i përfshirë edhe PSD-ja e Shpend Ahmetit.

Këta të fundit do ta dërgojnë në Kushtetuese Thaçin, pasi sipas tyre secila parti politike duhet të ketë një përfaqësues në KQZ.

Komento: