Pasiguria e Kosovës drejt INTERPOL-it

10:09 | 29 June 2019

Kosova e pasigurt drejt INTERPOL-it.

Gjatë vitit të kaluar udhëheqësit e MPJ-së dhe të MPB-së vazhdimisht shpreheshin të sigurt se Kosova do të pranohej në INTERPOL.

Ndërkohë tash, kur Kosova ka aplikuar sërish për t’u bërë anëtare e kësaj organizate pas dështimit, askush nga këto dy dikastere nuk po jep garanci se do të ndodhë anëtarësimi.

Ani pse disa herë radhazi nuk ia kishte dalë të bëhej pjesë e INTERPOL-it, Kosova do të tentojë edhe këtë vit të bëhet anëtare e organizatës më të madhe të policisë ndërkombëtare. Ministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Behgjet Pacolli, ka njoftuar para pak ditësh se aplikacioni i Kosovës tashmë është dërguar në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it.

Ndonëse Asambleja e Përgjithshme e kësaj organizate pritet të mbahet në vjeshtë të këtij viti (në Kili), zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) kanë thënë se ende nuk janë formuar grupet punuese për lobim, ndonëse një gjë e tillë pritet të ndodhë shumë shpejt. Ekspertët e çështjeve të sigurisë konsiderojnë se institucionet e Kosovës duhet të nisin sa më parë lobimin te shtetet anëtare, pasi ka mbetur tejet pak kohë deri te dita kur do të mbahet Asambleja.

Komento: