Këshilltarja e ministrit të Pushtetit Lokal, Rada Trajkoviq, ka publikuar disa fotografi që dëshmojnë për pasojat shëndetësore që i la mbajtja e gjatë nga autoritetet serbe në kufi me Kosovën.
Ajo thotë se derisa po flitet për “torturat e serbëve nga Kosova”, duke aluduar në propagandën e udhëheqësve të Serbisë për serbët e Kosovës, pyet për rastin e saj.
“Nëse po flasim për torturat e serbëve nga Kosova, çfarë do të bëjmë me gruan serbe nga Kosova që u mbajt nën qiellin e kthjellët, në mes të dhjetorit, për 24 orë pa asnjë shishe ujë, ushqim dhe ilaçe? Më kot përpiqeni të relativizoni torturën: flasin provat”, ka thënë Trajkoviq.
Ditë më parë, Trajkoviq u ndalua nga autoritetet serbe pas emërimit të saj si këshilltare e ministrit Nenad Rashiq.