Partia konservatore gjermane zgjedh të premten pasuesin e Angela Merkelit pas 18 vjetësh sundim, një votë përcaktuese si për të ardhmen e Kancelarisë, ashtu edhe të të gjithë vendit.
“Zgjedhja që do të bëjnë 1001 delegatët e Unionit Kristian Demokrat (CDU), të mbledhur në kongres në Hamburg, pritet të jetë historike, sepse presidenti i partisë më të madhe të Gjermanisë mund të bëhet gjithashtu kancelar ose kancelare”, thotë Eckhard Jesse, politolog në Universitetin e “Chemnitz”.
Dy ditë para zgjedhjeve, ende nuk është e kuptueshme kush mund të fitojë mes dy favoritëve, shkruan ATSH, përcjell albinfo.ch.
Në njërën anë, Sarroise Annegret Kramp Karrenbauer (AKK), 56 vjeç, sekretare e përgjithshme e partisë, e cila ka edhe pseudonimin “Merkel bis”, sepse ajo mbështet në parti linjën centriste të kancelares.
Në anën tjetër, milioneri Friedrich Merz, 63 vjeç, që synon një kthesë djathtas të partisë dhe vendit. Dikur i mënjanuar nga Merkeli, ai rikthehet në skenë pas një dekade mungesë.
Ndërsa ministri i ri i Shëndetësisë, Jens Spahn, një tjetër kundërshtar i Merkelit, gjykohet si jashtë gare.
Në krye të ekonomisë së parë europiane prej 13 vjetësh, ajo që publiku e quan me përkëdheli ”mami” në kohën e saj të lavdishme, u detyrua në tetor, pas dy zgjedhjesh rajonale shumë zhgënjyese, të shpallë se do të tërhiqej nga drejtimi i partisë.