Qëkur është bërë president pasuria e Thaçit ka pësuar lëvizje të shumta
Presidenti i Kosovës, nga viti në vit, po varfërohet.
Që nga viti 2016, pasuria e Hashim Thaçit – kryesisht paratë e gatshme – ka shënuar rënie, derisa nuk ka raportuar nëse i ka falur apo i ka investuar, gjë që do ta arsyetonte humbjen e qindra-mijëra eurove, raporton KTV.
Në 2016, biznesmeni Rrahim Pacolli tha se ia bleu shtëpinë për 360 mijë euro, të cilën Thaçi kishte nisur ta ndërtonte në Hajvali.
Por, bazuar në të dhënat e publikuara në Agjencinë Kundër-korrupsion, presidenti Thaçi nuk i mori të gjitha këto të holla.
Në deklarimin e atij viti, si pasuri të palujtshme presidenti deklaroi një tokë për ndërtimin e shtëpisë me sipërfaqe prej 15.75 ari, vlerën e të cilë e kishte deklaruar 157 mijë euro, por prejardhja e asaj pasurie u deklarua si 260 mijë euro, nga ku specifikohej se paratë u morën nga shitja e shtëpisë.
Në të njëjtin vit, 2016, Thaçi deklaroi edhe një shtëpi në ndërtim me sipërfaqe 700 metra katrorë, së cilës vlerën ia kishte caktuar 280 mijë euro, e prej të cilave 100 mijë thoshte sa i ka marrë kredi.
Para të gatshme, atë vit, tha se i kishte vetëm 1250 euro të tijat, e 5 mijë të gruas.
Por, një vit më vonë, gjithçka ndërroi në deklarimin e tij.
Toka për ndërtimin e shtëpisë dhe shtëpia në ndërtim u zhdukën.
Derisa, paratë e gatshme u shumëfishuan.
290 mijë euro nga shitja e shtëpisë, presidenti i deklaroi në një nga bankat e Kosovës, e kursimet e tij kishin arritur në 16 mijë euro.
Një vit më vonë, në deklarimin e 2018-s, kjo shumë ka zbritur në 136 mijë euro.
As më 2018, presidenti nuk ka treguar fare se ka pasur në pronësi tokën ose shtëpinë e tij të re, e cila ka qenë e ndërtuar në fund të 2017-s.
Në Çagllavicë të Komunës së Graçanicës, Thaçi ka nisur të jetojë muajt e fundit.
Zyra e tij nuk ka dashur të flasë për këto mospërputhje, vetëm shkurt ka thënë se përgjigjet duhet të kërkohen në Agjencinë Kundër-korrupsionit, pasi, sipas saj, atje janë dhënë të gjitha sqarimet.
Por, kjo e fundit ka mohuar t’i ketë këto të dhëna për presidentin.
Kjo Agjenci ka thënë se do ta presë afatin e rregullt të deklarimit vjetor, që është 31 marsi i këtij viti, për të parë se cili do të jetë deklarimi i presidentit.
“Zyrtarët e lartë publikë janë të obliguar të deklarojnë pasurinë tyre, si dhe ndryshimet eventuale të pasurisë për vitin paraprak, në pajtim me nenin 5, 6, dhe 8 të Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publikë”, thuhet në një përgjigje të AKK-së.
Këto nene specifikojnë se zyrtari publik është i obliguar të tregojë për çdo shpenzim, i cili kalon shumën 5 mijë euro, përfshirë huadhënien ose kredinë.
“Kohavisioni” ka pyetur edhe në Komunën e Graçanicës, nëse presidenti Thaçi kishte kërkuar leje ndërtimi për shtëpinë dhe kur është bërë kjo, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.