Zyrtarët e lartë shtetërorë po vazhdojnë të pasurohen në mënyrë të dyshimitë.
Mbi 2500 zyrtarë të lartë publikë ende nuk e kanë deklaruar pasurinë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit ndonëse kanë afat ligjor vetëm deri këtë të premte. Megjithatë shqetësimet janë se deklarimi i pasurisë po bëhet vetëm për ta përmbushur obligimin ligjor, pasi që pasuria e disa zyrtarëve është shumë më e lartë se ajo që deklarohet
Mbi 2500 zyrtarë të lartë publikë ende nuk e kanë deklaruar pasurinë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit (AKK) ndonëse afat ligjor kanë vetëm deri në fund të kësaj jave.
Në listën e zyrtarëve që duhet ta deklarojnë pasurinë në AKK janë rreth 5000 vetë, përderisa bëhet e ditur se deri më tani obligimin ligjor e kanë kryer mbi 2000 zyrtarë.
“Numri i zyrtarëve të lartë publikë që e kanë për obligim deklarimin e pasurisë gjatë muajit mars të këtij viti është 4839. Deri më tani pasurinë e kanë deklaruar mbi 2000 zyrtarë të lartë publikë”, thuhet në përgjigjen e AKK-së për gazetën “Zëri”.
Në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit thonë se sipas praktikave nga vitet e kaluara zyrtarët publikë zakonisht presin ditët e fundit për ta deklaruar pasurinë ndonëse për ta bërë një gjë të tillë i kanë në dispozicion vetëm edhe katër ditë pune, përkatësisht deri këtë të premte.