Patentë shoferët- Prokuroria jep detaje për aksionin ku u arrestua një ekzaminere dhe tre instruktorë

14:35 | 23 Mars 2026
patente-shoferet-prokuroria-jep-detaje-per-aksionin-ku-u-arrestua-nje-ekzaminere-dhe-tre-instruktore

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje për aksionin në të cilin u arrestuan tre instruktorë dhe një ekzaminere nën dyshimin për dallavere me patentë shoferë

Sipas Prokurorisë, I.M., dyshohet për “Marrje ryshfeti”, A.B., dhe Z.B., për “Falsifikim të dokumentit zyrtar”, kurse V.L., për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, njofton opinionin publik se, sot me datë 23.03.2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë, katër persona të dyshuar, njëri me inicialet I.M nga auto shkolla “A…….” për shkak të dyshimit të arsyeshëm se e ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 të KPRK-së, dy persona me inicialet A.B dhe Z.B nga auto shkolla “I………….” për shkak të dyshimit të arsyeshëm se e kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 427 të KPRK-së dhe një person me emrin V.L ekzaminere për patentë shofer në MMPHI për shkak të dyshimit të arsyeshëm se e ka kryer veprën penale ”Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Prokuroria njofton se ky arrestim është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me hetuesit policorë nga Policia e Kosovës- Sektori për Hetimin e Korrupsionit në DHKEK në Prishtinë derisa aksionin e ka udhëhequr prokurori Arianit Salihu.

“…pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të pandehurit I.M. i janë gjetur dhe sekuestruar 800 euro ryshfet të përdorura nga fondi i Policisë së Kosovës, ndërsa në zbatim të Urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, është realizuar kontrolli në dy auto shkollat e cekura më lartë ku janë siguruar provat e nevojshme materiale, ndërsa të pandehurve I.M dhe V.L, u janë sekuestruar telefonat e tyre mobil”, njofton Prokuroria.

Bëhet e ditur se brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të dorëzojë në Gjykatë kërkesën për caktimin e ndonjë prej masave për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale./Betimi për Drejtësi

Komento: