Një ngjarje jo e këndshme kishte ndodhur pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka thënë se është i gatshëm t’i bartë “pasojat për punën time”, nëse vlerësohet se ka vepruar gabimisht kur ka debatuar me ambasadoren e Kosovës në New York, Vlora Çitakun pas përfundimit të seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku u debatuar për Kosovën.
“Reagova si çdo njeri i ndershëm ndaj gënjeshtrës”, ka thënë Daçiqi në televizionin serb “Pink”, duke iu referuar ofendimeve dhe sulmeve që ia bëri Çitakut.
Sipas tij, “çka po u intereson njerëzve se çfarë kush i tha dikujt pas seancës, a ka dëgjuar dikush se çfarë kush tha pas seancës”.
Daçiqi tha se vepron në mënyrë diplomatike me diplomatë, “por nëse dikush gënjen, nuk do t’ia kthej ndryshe”.
“Nëse dikush më godet me gur, unë s’do t’ia kthej me lule… mundem edhe me lule, por me saksi”, tha kryediplomati serb, transmeton Koha.
Duke folur për takimin në Paris, i cili pritet të mbahet në fillim të korrikut dhe ku pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Kosova, ai tha se formalisht nuk është i ftuar dhe se në këtë moment nuk dihet nëse i njëjti do të zhvillohet.