Policia ia ndaloi hyrjen në Kosovë, patriarkut serb Porfirije.
Policia e Kosovës në vendkalimin kufitar me Serbinë në Merdar sot rreth orës 14:30 nuk ka lejuar që vetura me patriarkun serb Porfirije të hyjë në Kosovë.
Siç bëhet e ditur, ai ishte nisur drejt Kosovës, edhe pas njoftimit të ditës së diel se atij nuk i lejohet hyrja në Kosovë.
Thuhet se patriarku ka ardhur me veturë nga Serbia dhe se i është ndaluar hyrja në përputhje me Ligjin për të Huajt dhe në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës.
Siç raportojnë mediat në gjuhën serbe, përcjell Telegrafi, patriarku ka qëndruar në makinë për disa minuta në anën e kontrolluar nga policia e Kosovës, më pas është kthyer në Kurshumli.
Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, të dielën ka dalë me një sqarim në lidhje me vizitën e Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, në Republikën e Kosovës.
Sipas MPJD-së, edhe pasi iu kishte aprovuar leja, më vonë kjo ministri e kishte konsideruar që vetëm pas distancimit dhe dënimit të veprimeve të grupeve kriminale në veri të Kosovës, mund të aprovohet qëndrimi i Porferijes në territorin e Kosovës.